Vrasja e Ardian Nikulajt, arrestohet organizatori Edmond Haxhia dhe 2 prej bashkëpunëtorëve britanikë

Tre nga gjashtë të kërkuarit për vrasjen e Ardian Nikulajt janë arrestuar nga policia në Britaninë e Madhe.

Mes të arrestuarve është edhe Edmond Haxhia, i cili dyshohet si organizator i atentatit ndaj biznesmenit nga Lezha.

 

Edmond Haxhia

Po ashtu në pranga janë vënë edhe Thomas Mithan dhe Steven Hunt. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Shtetit, që thotë se atajanë arrestuar në Londër nga një operacion i kryer nga Agjencia Kombëtare për Krimin (NCA).

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit Edmond Haxhia, Thomas Mithan dhe Steven Hunt“, njoftoi policia.

 

Pritet që të arrestuarit të ekstradohen në Tiranë sepse mes dy vendeve ka një marrëveshje që e lejon diçka të tillë.

Edmond Haxhia u largua nga Shqipëria më 20 Prill, një ditë pas vrasjes. Shqiptari, i cili mban edhe nënshtetësi britanike, është zbuluar nga hetimet që ka marrë me një makinë tip “Golf 5” Harriet Bridgeman dhe Thomas Mithan në Rinas duke i zhvendosur në Shëngjin. Po në të njëjtin vend ka marrë edhe portugezin Ruben Saravia.

 

Ruben Saraiva

Ndërkohë britanikët dyshohen se në vrasjen e Nikulajt kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjes së viktimës. Në lidhje me këtë ngjarje vijojnë të jenë në kërkim tre persona të tjerë. Bëhet fjalë për portugezin Ruben Saravia, i cili dyshohet se është ekzekutori i Nikulajt dhe britanikët Harriet Bridgeman e Harry Simpson.

“Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen”, thuhet në njoftimin e policisë

Policia ka deklaruar se vrasja ka ndodhur pë motive gjakmarrjeje.

Britanikët që vëzhgonin lëvizjet e Nikulajt

Menjëherë pas lajmit të arrestimit të 3 personave ka reaguar Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Çuçi shprehet se reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me policinë e shtetit. Ai shprehet se vijon puna intensive për të arrestuar 3 personat e tjerë në kërkim.

“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë britanikë për lajmin e konfirmuar për arrestimin e 3 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Shëngjin disa ditë më parë. Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale. Vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë”, shkruan Çuçi.

 

 

Të Fundit