Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si tejet të rëndë dhe tragjike rastin e djeshëm në Gërcallë të Fierit, ku u vra barbarisht nga fqinji 38-vjeçar, vogëlushi Mateo. Në një konferencë shtypi, Rama theksoi se raste të tilla janë të përsëritura dhe duhet një ndërgjegjësim dhe shembull i dhënë, jo vetëm nga politika, por edhe e gjithë shoqëria në përgjithësi.
“Që në kohën e civilizimit romak është vendosur vija ndarëse mes të akuzuesit e të akuzuarit. Por barbaria e trashëguar nga regjimi komunist e jo vetëm, që ishte hapësira ku u rrit një popull i tërë dhe posaçërisht e gjithë gjenerata e politikës së këtyre 30 viteve, me asnjë ide për ekzistencën e të ndryshmit, rivalit, kundërshtarit në ide. Por vetëm me idenë se kush mendon ndryshe, flet ndryshe është armik i cili duhet pushkatuar burgosur, e linçuar publikisht vazhdon ende të ketë gishtat e vet. Është çështje kulturore që nuk zgjidhet sa hap e mbyll sytë, kërkon vite.
Këtë ne e shohim edhe sot, e kemi para syve dhe ju të gjithë jeni të detyruar ta pasqyroni të gjithë këtë furi të gjuhës se vjetra që riprodhohet për arsye dhe mos arsye të rendit të ditës. Edhe në parlamentin e Shqipërisë për fat të keq nuk mungojnë ekstremet për akuzuar të aspektit penal. Kështu që, këtu nuk është çështja e një mesazhi, por e shembullit, gjithsecili me shembullin e vet duhet të përmirësojë këtë helm që karakterizon politikën dhe hapësirën e opinionit publik në tërësi. Çfarë mund të thuhet më shumë se sa durim edhe shembull. Ju thatë dhjetëra e dhjetëra, por fatmirësisht nuk janë dhjetëra, janë raste që përsëriten dhe këto raste ekstreme janë të mjaftueshme sikur të jenë fare pak, për t’u tronditur thellësisht. Ajo që është e përsëritur në vijimësi është dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.
Aty legjislacioni është nga më të ashprit, por kur në gjykata rastet tregojnë se trupat gjykues favorizojnë burrat në raport me gratë e dhunuara, ky është skandal i madh. Buxheti i vitit 2022 ka një trefishim të ndihmës financiare për këto subjekte”, tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë shtoi se arsyeja se raste si ato të Fierit, janë të përsëritura, është për shkak të vendimit të padrejtë të gjyqtarëve të korruptuar. Kjo është dhe arsyeja sipas tij, se përse procesi i vetingut është jetik dhe duhet të vazhdojë.
“Patjetër që nuk ka nevojë të jenë shumë, por edhe pak, janë problem dhe rrezik potencial. Rasti për të cilin flasim nga shqyrtimi i bërë kemi të bëjmë me një individ që është dënuar 10 vite më parë, ka kryer dënimin, ka dalë dhe ka pasur për gjatë gjithë këtyre viteve punë të ndryshme, por nuk është identifikuar apo denoncuar ndonjëherë si person nga ata që ju përmendët. Kështu që në kushtet e një tronditje të tillë janë legjitime emocionet, mendimet deri te ekstremet që i kalojnë njeriut në kokë. Por adresimi i problemit, kërkon qetësi dhe gjakftohtësi. Këtu, e para është që drejtësia dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar se do të ndodhë ndryshe, por nuk është thjesht çështje reagimit me vendim ekstrem ndaj autorit. Aspekti tjetër është vazhdimi i punës dhe adresimit të këtyre çështjeve në mënyrë sistematike. Problemi kryesorë që ne kemi, është raporti shumë i zhdrejtë midis rezultateve të operacioneve të policisë, për abuzime ndaj personit, dhunë ndaj personit me numrin e të dënuarve nga gjykata. Bashkautor në të gjitha krimet e përsëritura ose në shumicën dërrmuese të tyre janë gjykatësit e korruptuar, të degjeneruar, të cilët janë dhe arsyeja se procesi i vetingut është jetik dhe vazhdon. Njerëzit janë në të drejtën e tyre të kërkojnë ndryshimin e sjelljes se eficenses se sistemit të drejtësisë, menjëherë, por kjo nuk ndodh dot. sepse nuk është një çështje thjesht e aprovimit të ligjeve të duhur apo e pastrimit të llumit, por është një çështje e plotësimit të boshllëkut nga largimi i llumit të duhur. dhe kjo nuk mund të ndodhë në asnjë formë me shpejtësi.
4-5 vite në jetën e njeriut janë shumë, po në jetën e një vendi janë 4 apo 5 minuta. Po të shohim sistemin e drejtësisë në vendet europiane, janë ngritur me shekuj, e mira jonë është se kemi eksperiencën e të tjerëve kemi partnerët e duhur për ta bërë këtë punë dhe duke kapërcyer ato hapësira të gjata kohore.Për këtë arsye kush e konsideron reformën në drejtësi një proces pa sukses, nuk di çfarë flet. është një proces organik që kërkon kohën e vet dhe ka një kosto. Ndaj duhet durim, shtrëngim dhëmbësh me vullnet për ta çuar deri në fund të gjithë këtë”, përfundoi kryeministri.