Vrasja e 14-vjeçarit, prindërit njoftojnë protestën e radhës: Presim zbardhjen e plotë të ngjarjes

Komuniteti i prindërve të shkollës “Fan Noli” ka paralajmëruar një tjetër protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit. Të martën e 3 Dhjetorit, ata do të grumbullohen para shkollës dhe më pas do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.

Ndër kërkesat kryesore të prindërve është zbardhja e plotë e ngjarjes dhe të vendoset drejtësi për 14-vjeçarin e vrarë. 12 ditë pas rastit, ata thonë se policia ka ende deklarata kontradiktore.

“Ne jemi një grupim prindërish për arsim cilësor me prioritet tashmë sigurinë në shkolla. Jemi këtu në shkollën “Fan Noli” për të kërkuar fillimisht drejtësi për Martinin dhe siguri për të gjithë fëmijët. Kanë kaluar 12 ditë që nga ngjarja që na tronditi të gjithëve. Ende nuk kemi një version përfundimtar të saj. Kemi deklarata kontradiktore nga Policia e Shtetit, herë fajësohet media, herë protestuesit dhe jemi këtu ende pas 12 ditësh. Presim një zbardhje të plotë të ngjarjes. Kërkojmë hetim të plotë për ngjarjen dhe vendosjen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë. Vetëm duke vendosur drejtësi për Martinin do të mund të shpresojmë për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë.

Sot jemi këtu për sigurinë në arsim, jemi këtu për të kërkuar llogari para të gjithë atyre që duhet të na garantojnë jo vetëm një arsim cilësor, por së pari një arsim të sigurt, shkolla të sigurta. Jemi një grupim aspak politik. Tentativat për ta lidhur këtë protestë me axhenda të ndryshme partiake nuk do të ndryshojnë vendosmërinë tonë për të kërkuar pikërisht këtë, sigurinë në shkolla, gjithëpërfshirje dhe më e rëndësishmja drejtësi për Martinin, siguri për fëmijët tanë”, tha aktivistja Etleva Kondakçi

Të Fundit