“Votoni masivisht PS që më 2030 të keni pasaportën europiane të Shqipërisë”, Rama: Na duhet një mandat i katërt më i fortë

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një mandat të katërt, pasi sipas kreut të qeverisë kjo është e vetmja mundësi që shqiptarët të kenë pasaportën e Bashkimit Europian.

Rama u shpreh se kjo do t’i jepte fund historisë poshtëruese në kufinjtë e BE, ku theksoi se shqiptarët ndahen si dele të zeza.

“Kush e do pasaportën e BE ka vetëm një mundësi dhe vetëm një rrugë të bashkohet dhe votën e bashkuar të na japë këtë mundësi që të pajisim çdo shqiptar me pasaportën e BE brenda kësaj dekade”, deklaroi Kryeministri.

“Sa herë zbresim në një aeroport në BE na tregojnë me gisht një korridor ku duhet të shkojmë dhe të futemi të gjithë me radhë, ndërkohë që evropianët kalojnë në një korridor të tyre pa radhë dhe ikin avullojnë sa hap e mbyll sytë.

Nuk kemi të drejtë të qëndrojmë në një vend të BE, ndaj kur arrijmë në kufijtë e saj na marrin në pyetje me policë që na e kthejnë mbarë e mbrapsht pasaportën tonë. Ndërkohë që shohin e pyesin ku po shkon, sa lekë ke, kush të ka ftuar dhe kur do ikësh nga këtu. Pa hyrë mirë akoma. Ne mund ta mbyllim këtë histori poshtëruese dhe të mos na ndajnë si dele të zeza kur hymë në një kufi”, tha Rama.

Ai theksoi më tej se “ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari pasaportën europiane në 2030, kjo pasaportë duhet të ndryshojë dhe të shtohet diçka themelore Bashkimi Europian-Republika e Shqipërisë”.

“Na duhet jo thjesht një mandat i katërt, por më i fortë se të treja mandatet e deri më sotme. Kush e do pasaportën e BE ka vetëm një mundësi dhe vetëm një rrugë të bashkohet dhe votën e bashkuar të na japë këtë mundësi që të pajisim çdo shqiptar me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Me pasaportën e BE, Evropa bëhet më e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria aq e madhe sa Europa”, tha Rama.

Të Fundit