27-vjeçari Ordis Molla i cili mbrëmjen e së Mërkurës vodhi një postë private në rrugën “5 Maji” në Tiranë ka shpjeguar motivin para togave të zeza.
Gazetarja e Klan News bën me dije se i riu ka deklaruar se këtë grabitje e ka kryer pasi kishte të atin të sëmurë dhe i nevojiteshin para.
“Kam babain në gjendje të rëndë. Nuk gjeja mënyrë tjetër për ti ardhur në ndihmë për kurimin dhe vendosa të kryej grabitjen e postës private”, mësohet të ketë thënë 27-vjeçari.
Ai u vendos në pranga disa orë pas ngjarjes së të mërkurës në mbrëmje, ku përmes kërcënimit me thikë ndaj punonjësit, mori një shumë parash në filialin e një poste private në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi në rrugën “5 Maji”, ku Molla, pasi mori një shumën e parave të xhiros ditore, përkatësisht 400 mijë lekë të rinj, 940 euro dhe 40 paund dhe u largua me motomjet.
Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ai do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”./