Një turist francez u arrestua teksa tentoi të largohej nga Sardenja me 41 kilogramë guralecë dhe gurë të mbledhur ilegalisht nga një plazh, njoftuan sot autoritetet.
Zyrtarët italianë të doganave e ndaluan burrin përpara se ai të hipte në një traget që lidh Porto Torres (Sardinia veriperëndimore) me Nice (Franca juglindore).
“Ai kishte në bagazhin e makinës së tij 41 kg guralecë dhe gurë nga plazhi Labianou, të cilët u konfiskuan dhe do të kthehen në plazh”, thuhet në njoftimin e autoriteteve doganore.
Sardenja është e njohur për plazhet e saj të pacenuara me rërë të bardhë – të konsideruara aq të çmuara sa autoritetet rajonale miratuan një ligj në vitin 2017 që ndalon turistët të mbledhin dhe ta marrin me vete.
Marrja, posedimi ose shitja e rërës, guralecave, gurëve apo guaskave të mbledhura në Sardenjë pa leje dënohet me gjobë nga 500 deri në 3000 euro.