Një banesë ka rënë pre e vjedhjes, ndërsa në pranga kanë rënë dy autorët. Ngjarja në fjalë ndodhi në fshatin Grykë Nokë në Dibër. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Shumbati”, pas disa orë ndjekjeje dhe mbajtje nën rrethim, u kapën shtetasit me inicialet M.M, 26 vjeç dhe D.M, 26 vjeç, banues në Kukës. Ndërsa shtetasi me inicialet M.K., 25 vjeç, banues në Dibër, dhe F.H., 20 vjeç, banues në Kukës, kanë mundur të largohen duke marrë me vete edhe shumën e parave të vjedhura, të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Grykë Nokë, Dibër, dyshohet se nën kërcënimin e një arme, kanë vjedhur në banesën e shtetasit I.H., shumën prej 300.000 lekë, dhe më pas janë larguar me një automjet tip ‘Opel’. Vijon krehja e zonës për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe të gjetjes së armës që dyshohet se autorët e kanë hedhur porsa kanë parë që ndiqeshin nga policia. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti i përdorur nga autorët.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Dibër për veprën penale “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim. Për më tepër shihni videon nga momenti i arrestimit të dy personave pjesëmarrës në vjedhje.