Policia e Vlorës ka sekuestruar 31 805 Euro të padeklaruara, të cilat i gjetën gjatë kontrollit në autobusin e një agjencie udhëtimi. Sipas njoftimit zyrtar, Eurot u gjetën në pjesën fundore të sediljes të mbështjella me letër celofani. Janë proceduar në gjendje të lirë dy persona, ndërsa është sekuestruar edhe autobusi.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave. Sekuestrohen 31 805 euro të padeklaruara. Procedohen penalisht 2 shtetas, drejtues të automjetit ku u gjetën 4 pakot me euro. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi.
Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani. Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë. Automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thotë Policia.