Në Vlorë ka një rënie të ndjeshme të interesit për të qënë një vrojtues plazhi. Leneda Halili, trajnuese e vrojtuesve të plazhit për qytetin e Vlorës thotë se këtë sezon veror vetëm 10 persona janë trajnuar në këtë profesion.
“Ky sezon ka qenë sezoni më i dobët ndër sezonet e tjera, vrojtuesit e plazhit nuk është se kanë qenë të interesuar për t’u trajnuar. Duke filluar nga muaji shkurt e deri tani, vetëm 10 vrojtues janë trajnuar në qytetin e Vlorës dhe 40 të tjerë që kanë bërë rinovimin e kartës, që është një numër i ulët për plazhet tona, sepse i bie 50 persona mund të jenë aktivë. Nuk e di si po vete situata, por shpresojmë të ketë të interesuar dhe sezoni i plazhit të jetë i sigurt, por s’e them me siguri, se s’e di si do jetë e ardhmja”, u shpreh Leneda Halili.
Sipas saj, vrojtuesit janë ata të cilët shpëtojnë jetë dhe garantojnë sigurinë e jetës së çdo individi në bregdet. Halili tregon edhe mënyrën se si trajnohen, përgatiten vrojtuesit e plazhit.
“Trajnimi është 10 ditë ku bën teori dhe praktikë. Këto 10 ditë ai është i angazhuar në pjesën e teorisë për të mësuar gjithçka për ndihmën e parë, për çdo emergjencë që mund të ketë në stacionin e plazhit. Ai mëson për rolin, cilat janë detyrat, anën ligjore, gjithashtu merr informacion për kushtet e motit, si kuptohet e si të reagojë me sinjalistikë. Në pjesën e praktikës ai merr të gjitha teknikat e duhura për të bërë një shpëtim, për të qenë gjatë gjithë kohës në ndihmë të pushuesve”, tha ajo
Një problematikë e cila ekziston prej vitesh në Vlorë është edhe mungesa e sigurisë në plazhe.
“Kullat e vrojtimit gjithmonë janë bosh. Këto kulla nuk janë të nevojshme për stacionet tona të plazhit. Thjesht duhet një pikë vrojtimi, ku duhet të jetë vrojtuesi me uniformën e tij, me një çantë të ndihmës së shpejtë dhe një mjet të shpëtimit. Ai duhet të ketë akses të shikojë pjesën ujore dhe territoriale. Arsye tjetër është se s’ka persona që ta bëjnë këtë lloj pune, sepse mendojnë se nuk është e mirëpaguar.”
Pronarët e bizneseve janë ata të cilët trajnohen vetëm për dokumenta, për të marrë në posedim sipas saj një hapësirë plazhi.
“Këta persona që unë kam trajnuar këtë vit, të 10 janë pronarë plazhi. Unë nuk jam e sigurt për këtë pjesë, që e ofrojnë apo nuk e ofrojnë, këtë mund ta thonë organet kompetente. Por nga kontrollet e mia personale që unë bëj në stacionet e plazheve, ata vrojtues që unë trajnoj nuk janë në punë në kulla. Shteti është ai që duhet t’i detyrojë.”
Në fund ajo ka edhe një mesazh, duke i bërë thirrje pushuesve të zgjedhin plazhet që kanë vrojtues plazhi.
“Unë u them pushuesve të kenë kujdes në plazhet ku venë, se kur ndodh diçka e keqe me jetën e njeriut, atëherë kujtohemi, themi ku është vrojtuesi. U bëj thirrje të gjithëve: Frekuentoni plazhe ku është vrojtuesi, e po nuk është, kërkojeni, se ai është aty për të shpëtuar jetë.”
Kullat e vrojtimit në Vlorë kanë marrë tashmë një funksion të ri. Prej vitesh ato shërbejnë vetëm për të bërë hije tek pushuesit apo për të vendosur në to rrobat dhe biçikletat, dhe jo për të qëndruar aty vrojtuesit e plazhit.