Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës këngëtares së mirënjohur Dua Lipa.
Përmes një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale Osmani shprehet se Kosova është gjithmonë mirënjohëse dhe krenare për atë që Dua Lipa ka bërë për rininë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua!
Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.
Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë.
Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!” shkruan Osmani.