Vjedhja e pazakontë/ Mbi 413 mijë çokollata Kit-Kat “Formula 1” grabiten në Itali një javë para Pashkëve

Hajdutët arritën të grabisin 413,793 njësi të linjës së re të çokollatave me temë F1, një sasi që mund të shkaktojë mungesa në treg përpara Pashkëve.

Një ngarkesë e madhe me çokollata KitKat u vodh gjatë transportit drejt distributorëve, në një grabitje të pazakontë në prag të festës së Pashkëve që mund të ndikojë në furnizimin për konsumatorët.

Kamioni që transportonte 413,793 njësi të një “game të re çokollatash”, rreth 12 tonë produkte, u grabit teksa po lëvizte nëpër Evropë më 26 mars, raportoi Agence France-Presse.

Një zëdhënës i Nestlé, kompania mëmë e KitKat, konfirmoi vjedhjen për Guardian, duke shtuar se kompania po bashkëpunon me autoritetet lokale dhe partnerët e zinxhirit të furnizimit për hetimin e rastit.

Sipas një deklarate të Nestlé, kamioni ishte nisur nga një fabrikë në Italinë qendrore dhe po transportonte mallin drejt Polonisë kur ndodhi grabitja. Deri më tani, as mjeti dhe as çokollatat e vjedhura nuk janë gjetur. Nuk ka pasur të lënduar gjatë ngjarjes.

“Ne gjithmonë i kemi inkurajuar njerëzit të bëjnë një pushim me KitKat,” thuhej në deklaratën e Nestlé, duke iu referuar sloganit të njohur të markës. “Por duket se hajdutët e kanë marrë mesazhin shumë seriozisht dhe kanë ‘bërë një pushim’ me më shumë se 12 tonë çokollatë.”

Deklarata vijon: “Edhe pse vlerësojmë shijen e rafinuar të autorëve, vjedhja e mallrave është një problem në rritje për bizneset e çdo madhësie. Me skema gjithnjë e më të sofistikuara që përdoren rregullisht, kemi vendosur ta bëjmë publik rastin tonë për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë fenomen gjithnjë e më të përhapur.”

Çokollatat e vjedhura i përkisnin linjës së re të KitKat me temë Formula 1, e krijuar pasi marka u bë çokollata zyrtare e F1 vitin e kaluar. Produktet janë modeluar në formën e makinave të garave, duke ruajtur strukturën klasike të biskotës së mbuluar me çokollatë.

Nestlé paralajmëroi se këto produkte mund të përfundojnë në tregje jozyrtare. Zyrtarët e kompanisë theksuan se, nëse kjo ndodh, autoritetet mund t’i gjurmojnë përmes kodeve të serisë (batch) të caktuara për secilën njësi./Përshtatur nga The Guardian,

Të Fundit