“Vizioni 2026” për turizmin, ministri Gonxhja: Rritje të cilësisë së shërbimeve dhe investime

Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka dalë në një konferencë për mediat këtë të martë, ku ka folur mbi vizionin e qeverisë për vitin 2026 dhe ekosistemin e ri të bashkëpunimit mes turizmit, kulturës dhe sportit, si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Ministri Gonxhja tha se do të ketë një rritje të pranisë së Shqipërisë në tregjet dhe panairet ndërkombëtare, si dhe rritje të cilësisë së shërbimeve.

“Ndërkombëtarizimi i ofertës dhe potencialeve të Shqipërisë. Duhet të rrisim praninë në tregjet kombëtare përmes pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare. Po ashtu, një pozicionim global i Shqipërisë në zgjerim të tregjeve mund të bëhet përmes lobimit dhe promovimit në tregje me potencial më të lartë shpenzimi dhe qarkullimi, ku theksojmë SHBA-të, Kanadanë, Azinë, Japoninë, Indinë, Lindjen e Mesme, Izraelin, Katarin, Australinë, Arabinë Saudite, etj., duke promovuar kulturën, natyrën dhe eksperiencat autentike.

Rritja e cilësisë së shërbimit turistik. Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore është një aspekt i rëndësishëm. Po fillojmë punën në Akademinë Ndërkombëtare të Turizmit dhe Mikpritjes. Në takimet që pata me sekretaren e re të përgjithshme në Madrid, vumë bazat për grupin e ri të punës dhe nisjen e aktiviteteve për këtë akademi. Do të ketë trajnime të vazhdueshme për stafin, certifikime dhe përshtatje të kurrikulave universitare profesionale me tregun e gjerë turistik, jo vetëm shqiptar”, tha Gonxhja.

Sipas tij, vendi ynë priti këtë vit plot 12.47 milionë vizitorë, me një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Po ashtu gjatë fjalës së tij, ministri foli edhe për investime të reja në infrastrukturën kulturore.

“Vijojmë me artin, kulturën dhe trashëgiminë, ku ndalem kryesisht në investimet në instrastrukturë, të artit dhe të trashëgimisë. Sivjet bëhemi gati të hapim atraksione të reja në art e kulturë, siç është Galeria Kombëtare e Arteve. Na pëlqen dhe do të vijojmë ta thërrasim kështu. Qendra Kuturore Kombëtare e Fëmijëve, rrjetësimin e 8 kinoteatrove, hapjen e shtëpisë muze ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan…”, tha Gonxhja duke cituar me radhë investimet.

Ai përmendi në veçanti edhe Parkun e Butrintit, për të cilin u shpreh se shumë shpejt do të kthehet në qendrën më të bukur të vizitorëve në rajon me transport të gjelbër duke ruajtur aspektin natyror e historik.

Të Fundit