Këtë të hënë të 2 tetorit nis vit i ri akademik. Studentët nga rrethet kanë mbërritur në Tiranë ditë më parë, ndërsa rreth 20 mijë studentë do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteve.
Të tjerë pritet të regjistrohen në programet e studimit ku kanë mbetur kuota të lira pranimi, drejtpërdrejtë në universitet deri në plotësimin e gjitha kuotave.
Regjistrimi i studentëve këtë vit u zhvillua në dy raunde. Raundi i parë u zhvillua nga data 29 gusht deri në 11 shtator, ndërsa raundi i dytë deri në 21 shtator.
Regjistrimi u krye online për dy raundet e para dhe në përfundim të tyre, në programet e studimit ku mbetën kuota të lira pranimi, kandidatët që aplikuan në U-Albania u regjistruan drejtpërdrejtë në universitete deri në plotësimin e të gjitha kuotave.
Risi këtë vit për studentët që ulen për herë të parë auditoret e Mjekësisë është që duhet të lidhin kontratë për të ofruar shërbim shëndetësor në vendin tonë për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërsa për studentët që janë duke e ndjekur Mjekësinë aktualisht, detyrimi është më pak vite.
Bojkot dhe protesta
Viti i ri akademik për studentët e Mjekësisë do të nisë me bojkot të procesit arsimor dhe me protesta, pasi ata kundërshtojnë ligjin i cili i detyron ato të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve.
“Sot në orën 12:00, Lëvizja Për Universitetin do të mbajë një komunikatë te Ministria e Arsimit.
Përveç se do të jemi te protesta e Mjekësisë që në mëngjes një grup nga ne, gjithashtu do të mbajmë edhe komunikatën me kërkesat dhe problematikat që e gjejnë studentët universitetin edhe këte vit të ri akademik”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Për Universitetin.