Viti i Ri 2025, Meta uron shqiptarët nga burgu: Një malore jo e lehtë përpara

President i PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” ka uruar nga qelia shqiptarët për Vitin e Ri 2025, duke zgjedhur foton nga ngjitja në Jezercë, maja më e lartë e Alpeve shqiptare.

“Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc. Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.

Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë”, shkruan Meta në mesazhin e tij.

Në vijim ai thekson se përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë.

MESAZHI

“Të nderuar qytetare dhe qytetarë shqiptarë!

Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc. Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta. Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë.

Përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë.

Përpara kemi një malore jo të lehtë.

E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri.

Me përkushtim, dashuri dhe vëmendje ndaj gjërave të mira dhe të bukura, me vullnet, forcë e përgjegjësi, me energji pozitive, mençuri dhe vizion ne të gjithë bashkë do ta bëjmë realitet ëndrrën e bukur të të rinjve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!

Nga zemra ju uroj të jetë ky Vit i Ri plot me gëzime, shëndet, mbarësi, dashuri dhe suksese për ju, familjet tuaja dhe të afërmit kudo që janë!

Gëzuar 2025!”, shkruan Meta në postimin e tij.

Të Fundit