Në festën e themelimit të “Horës së Arbëreshëve” vishet me kostumin e tyre tradicional
“Hora e Arbëreshëve” feston ditën e themelimit, si vendbanimi më i madh arbëresh në Siçili. Për të përkujtuar këtë datë historike, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu u bashkua ceremonisë së arbëreshëve duke i surprizuar pjesëmarrësit pasi veshi kostumin tradicional në rrugët e qytetit.
Kjo qasje e kryetares së Kuvendit ndaj pasardhësve e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut që kanë ruajtur gjuhën e traditat mbi 500 vjeçare, është një mesazh që vjen nga Shqipëria, se ne jemi një.
Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe shqiptarët nga diaspora u ngrit një përmendore e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Bustet dhe emri i Skënderbeut u japin hijeshi shesheve dhe rrugëve kryesore në shumë kryeqytete botërore nga Europa në Amerikë,”-tha Spiropali
“Tani Gjergji vjen në bronz si shenjt mbrojtës dhe monument kujtese edhe në qytetin tuaj si për të na kujtuar ne të gjithëve, që na bashkon një ‘gjuhë e një gjak’,” tha kryetarja e Kuvendit.
Aktivitetet në “Horën e Arbëreshëve” janë të shumta këto ditë, teksa kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka vizituar muzetë vendorë, kishat, bibliotekat, institucionet shtetërore, si dhe ka biseduar e kuvenduar shqip me arbëreshët patriotë e mikpritës të Siçilisë.