Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kandidatët socialistë të qarkut të Elbasanit. Gjatë fjalimit, ai foli mbi punën e Altin Dumanit ndaj të cilit shpreh respekt qoftë për angazhimin e tij, qoftë për sulmet që ka mbartur mbi supe.
Kreu i qeverisë shtoi se Dumani, virtytet i ka pasur gjithmonë dhe nuk ia dha reforma në drejtësi.
“Doli Altin Dumani që ka të gjithë respektin për punën që bën dhe sulmet kafshërore që ka marrë familjarisht me një pjesë prokurorësh. Dumani ka qenë aty, prokuror për disa vjet dhe virtytet nuk i erdhën nga reforma, i ka pasur. Pse nuk thirri Dumani ndonjë politikan ato vite që ishte prokuror. Pse nuk doli ndonjë gjykatës që thoshte hajde këtu Altin se do ta gjykoj unë. Jo hetuar, por as thirrur sepse nuk është çështja e Altinit, por e shpatës. Nuk kishte shpatë në dorë Altini, e kishte pushteti politik”, u shpreh Rama.
Gjatë bisedimeve, kryeministri gjithashtu ka përmendur negociata me BE-në për të cilat shpreh bindjen se do të mbyllen në vitin 2027 .
“Momenti më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve, është përtej të gjitha këtyre, sepse këto zgjedhje përkojnë me një moment të jashtëzakonshëm historik, ku për herë të parë mundësia e futjes në BE e Shqipërisë, është jo vetëm reale, por aktuale. S’ka qenë deri më sot aktuale, ka qenë reale. Është hapur një dritare që nuk do të rri hapur për një kohë të gjatë.
Qëllimi është të hyjmë në BE dhe BE të japë një sinjal që po zgjerohet dhe po riunifikohet se ky është qëllim gjeopolitik, ndaj ne jemi sot me fatin europian që na buzëqesh për herë të parë.
I kemi hapur negociatat vjet dhe mund ti mbyllim në vitin 2027, kemi punuar për këtë ditë. Edhe pse pa hapjen e negociatave zyrtarisht, kemi fituar shumë kohë dhe mundësia e mbylljes së tyre në 2027 do të jetë rekord në gjithë historinë e integrimit. Negociata janë një punë kolosale, si një faqe me 3 mijë fletë me ligje dhe vendime, marrëveshje të vazhdueshme dhe nëse ne lëkundemi në 11 maj, sikur 3 muaj të kalojmë në paqartësi, ne nuk e kapim 2027 dhe nuk e dimë çfarë ndodh në Europë”, tha Rama.