Policia e Durrësit ka arrestuar katër shtetase kineze, të dyshuara se kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit një vilë dykatëshe të marrë me qira në lagjen nr. 13 në zonën e Plazhit.
Njëra nga kinezet e arrestuara dyshohet si organizatore, ndërsa është shpallur në kërkim edhe një bashkëpunëtore e saj nga Anglia.
Gjithashtu janë proceduar dhjetë persona, prej të cilëve tetë shqiptarë dhe dy kineze, ndërsa janë sekuestruar shuma parash, telefona dhe karta bankare.
Si funksiononte kjo qendër prostitucioni?
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset kineze kishin përshtatur një vilë dykatëshe, të marrë me qira nga një shtetase angleze në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, me qëllim ushtrimin e prostitucionit.
Në njoftimin e saj policia shpjegon se në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u arrestua shtetasja kineze F.W., 46 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” pasi dyshohet si drejtuese dhe organizatore e këtij rrjeti prostitucioni ndërsa u shpall në kërkim edhe shtetasja K.P., 46 vjeçe, banore në Mbretërinë e Bashkuar, e dyshuar për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Po ashtu u arrestuan edhe tre shtetase të tjera kineze: L.M., 55 vjeçe, L.Ch., 49 vjeçe, dhe Zh.H., 47 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, hetimet po vijojnë, pasi dyshohet se ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, e cila dyshohet se ka qendrën jashtë vendit, nga ku kryheshin telefonatat përmes call center-it.
Njoftimi i plotë i policisë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Storm 4″.
Kishin marrë me qira një vilë dykatëshe dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit, vihen në pranga 4 shtetase kineze, njëra prej tyre organizatore e kësaj veprimtarie.
Shpallet në kërkim organizatorja tjetër e kësaj veprimtarie, shtetase angleze.
Procedohen penalisht 10 shtetas, 2 prej tyre shtetase kineze dhe 8 shtetas shqiptarë.
Sekuestrohen shuma parash, celularë dhe karta banke.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Përshtatatja e ambienteve për prostitucion”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin e koduar “Storm 4”.
Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u bë arrestimi i shtetases kineze F. W., 46 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, e cila dyshohet se ishte drejtuese e dhe organizatore e këtij rrjeti prostitucioni.
Gjithashtu u arrestuan 3 shtetase të tjera kineze L. M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe dhe Zh. H., 47 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, 2 shtetase kineze dhe 8 shtetas shqiptarë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasja K. P., 46 vjeçe, banuese në Mbretërinë e Bashkuar, e dyshuar për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash në euro dhe dollarë, disa karta banke dhe karta telefoni etj.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi rezultoi se shtetaset kineze kishin përshtatur një vilë dykatëshe, të marrë me qira, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nga shtetasja angleze, në bashkëpunim me 46-vjeçaren kineze dhe e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari që dyshohet se qendrën e ka jashtë vendit, nga ku kryheshin telefonatat nëpërmjet call centerit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.