Tre grabitës, të cilët dyshohet se kanë vjedhur shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, në disa banesa në fshatrat bregdetar të Himarës, gjatë 2 muajve të fundit janë arrestuar nga policia.
Po ashtu policia ka proceduar penalisht një 18-vjeçare që ka pasur dijeni mbi aktivitetin e bandës së grabitësve, por nuk ka kallëzuar krimin.
Gjatë operacionit policia në banesën e njërit prej të arrestuarve ka gjetur 1 armë zjarri kallashnikov, 3 silenciatorë, municion luftarak dhe sende që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve.
“Si rezultat i operacionit “Break in”, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. G., 31 vjeç, banues në Sarandë; D. R., 39 vjeç, banues në Sarandë; K. H., 37 vjeç, banues në Finiq. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. M., 18 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi dyshohet se ka patur dijeni mbi këtë aktivitet kriminal, por nuk ka kallëzuar. Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej autorëve shtetasit E. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, me silenciator, 2 silenciatorë të tjerë, 2 krehra pistolete dhe 1 krehër kallashnikovi, me fishekë, 68 fishekë, 4 celularë dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve. Gjithashtu, u sekuestrua 1 automjet që dyshohet se është përdorur gjatë vjedhjeve”, informon policia.
Tre të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Moskallëzimi i krimit”. Sakaq, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
VJEDHJET E PROVUARA NGA POLICIA:
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer disa vjedhje në territorin e bashkisë Himarë, konkretisht:
-më datë 15.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 250 000 lekë, në banesën e shtetasit N. L., në fshatin Pilur;
-më datë 27.08.2025, dyshohet se kanë vjedhur 1 300 000 lekë, në banesën e shtetasit A. B., në fshatin Piqeras;
-më datë 19.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur 200 000 lekë, në banesën e shtetasit Q. M., në fshatin Borsh;
-më datë 20.09.2025, dyshohet se kanë vjedhur vegla të ndryshme pune, në banesën e shtetasit G. N., në fshatin Borsh.