Vidhnin monopatina dhe i shisnin, 2 të arrestuar dhe 1 në kërkim

Dy adoleshentë janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi vidhnin monopatina në Tiranë dhe më pas i shisnin. Hetimet janë kryer nga Komisariati Nr.2 dhe ai Nr.6.

Të arrestuarit janë D.Sh. 18 vjeç dhe S.H. 19 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur një 17-vjeçar.

Një person i katërt është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Nga hetimet ka rezultuar se 2 të arrestuarit dhe 17-vjeçari në kërkim kanë vjedhur një monopatinë në Rrugën e Kavajës më datë 1 Tetor. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi S. H. siguronte sendet e vjedhura nga shtetasi D. Sh. dhe nga 17-vjeçari, të cilat më pas i shiste kundrejt përfitimeve të ndryshme monetare.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, shtetasit K. L., i cili shoqëronte shtetasin D. Sh., iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Të Fundit