Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra Enkeleda Kapedanin, gjyqtaren e Elbasanit që u bë e famshme nga videot në “Tik Tok”. Vendimi u dha ditën e sotme.
Gjyqtarja nuk ka qenë e pranishme në sallë kur u dha vendimi, i cili ishte në unanimitet të plotë nga anëtarët e vettingut.
Kujtojmë se Enkeleda Kapedani pushtoi rrjetet sociale, pas publikimit të disa videove që ajo hidhte në Tik Tok, ndërsa sfilonte në zyrën e saj.
Gjyqtarja asokohe pranoi shkeljen disiplinore dhe shprehu pendesë për veprimet e saj brenda institucionit të gjykatës, ndërkohë ILD vendosi ta pezullojë atë nga detyra për 6 muaj, ku Kapedani do të merrte një pagë minimale.
Kush është Enkeleda Kapedani?
E shpallur “Miss Shqipëria” në konkursin e bukurisë në vitin 2003, Enkeleda Kapedani vendosi të studionte për drejtësi. Më pas përfundoi Shkollën e Magjistraturës, profil gjyqtar dhe pasi përfundoi stazhin nisi rrugëtimin e saj në sistemin e drejtësisë.
Në vitin 2015, ajo u dekretua nga presidenti Bujar Nishani në detyrën e gjyqtares në gjykatën e Elbasanit ku punon edhe aktualisht. Përgjatë këtyre viteve, emri i Kapedanit bëri bujë në media kur firmosi lirimin me kusht të Viktor Imerit, e bandës së Gaxhait, por asokohe nuk pati reagime të forta institucionale. Por ndërsa pritej të kontrollohej vendimmarrja e saj, zonja Kapedani u ngrit në detyrë.
Në shtator 2020, mbledhja e gjyqtareve e zgjodhi nënkryetare në detyrë, ndërkohë që nuk e kaloi vettingun.