Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka publikuar sot disa foto të një kryebashkiaku, duke konsumuar kokainë.
Publikimi i fotove është bërë mëngjesin e sotëm në studion e ABC News, dhe ndërkohë gazetari Hoxha ka paralajmëruar publikimin edhe të një video, në lidhje me çështjen në fjalë.
Ndërkohë, CNA.al ka mësuar se të gjitha dyshimet janë se bëhet fjalë për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla.
Por, pas këtij publikimi, burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë ekskluzivisht për CNA.al se ashtu siç ka vepruar në të gjitha rastet e publikimit të këtyre videove dhe në raste të tilla të ngjashme, uniformat blu në zbatim të ligjit fillojnë hetimet menjëherë në bashkëpunim me prokurorinë, për të zbuluar se kur është bërë video, kush është personi, kur është filmuar , kur ka ndodhur ngjarja e të tjera. Dhe më pas fillojnë me hapat e mëtejshëm në zbatim të ligjit.
Ndërkohë një tjetër burim nga prokuroria i tha CNA.al se konsumimi i lëndëve narkotike nuk është vepër penale.
Pra, kjo çështje më shumë do të jetë një boom politik që do sjellë debate mes opozitës dhe mazhorancës socialiste, të cilës dyshohet se i përket kryebashkiaku në fjalë.
Më pas do të ketë një qasje tjetër të situatës, dhe do të duhet të dalin hetimet e plota për të parë se kur ka ndodhur dhe çfarë ka ndodhur realisht, por burimi ritheksoi se përdorimi personal i lëndëve narkotike nuk është vepër penale.
Më shumë do të ngelet një çështje politike dhe një reagim i pritshëm politik nga zyrtarët e mazhorancës./ CNA.al