KORÇË
Prekëse dëshmia e të moshuarit në Korçë që mbrëmjen e djeshme u grabit bashkë me të shoqen në lagjen numër 3 të qytetit të Korçës.
Foni Rapo ka treguar detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e kaluar në banesën e tyre. Ai tha se kanë qenë duke ngrënë darkë dhe dy persona me maskë, armë e thikë i kanë kërcënuar e goditur duke i kërkuar paratë.
“Ishim duke ngrënë bukë. Ishte 8 pa 10. Dy persona me maskë, armë dhe thikë u futën menjëherë brenda nga dera e banesës ngjitur. Ishin me armë, pistoletë, kishin dhe një thikë. Na kërcënuan dhe goditën, kërkonin lek, më morën pensionin dhe kursimet. Mua më goditën me qytën e pistoletës në kokë ndërsa gruan Afërdita në krahë dhe këmbë. Ime shoqe është në spital. E goditën shumë me shishe dhe mua më goditën. Gjatë gjithë kohës bërtisnin lekët, lekët. Në fund iu thashë merri lekët e pensionit. Thoshin të tjerat. Në fund iu thashë merri lekët e rezervës. Këto kisha unë. Afro 1 milion mund të ishin. Mua më lidhën dorën se unë desha që të dilja, mirëpo dera ishte e mbyllur dhe më zunë atje. Ata do kenë hyrë nga shtëpia këtej, ngjitur. Nuk kemi ndjerë asgjë kur hynë. Ishin të maskuar komplet. Vetëm leka, leka.
I thashë është një unazë në sirtar, merreni i thashë. Thoshin që kemi ardhur nga Elbasani, e përdorën pak dialektin por jo tamam. Ndoshta për të humbur gjurmët. Mos lajmëro më tha mua”, tregoi i moshuari. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorëve.