VIDEO/ Si bëhet hedhja e plehrave në hapësirë?

Hedhja e plehrave në Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar është bërë shumë më e lehtë. Nanoracks, një kompani private me seli në Hjuston, Teksas, ka testuar me sukses teknologjinë e saj të re që mundëson depozitimin e plehrave në hapësirë.

Testimi është kryer më 2 korrik, ku rreth 300 kg me mbetje u nxorën përmes Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar dhe u lëshuan në hapësirë. Thesi i madh me plehra do të lundrojë për ca kohë derisa të digjet plotësisht kur të prekë atmosferën e Tokës.

Kompania synon që të përmirësojë këtë shërbim, në mënyrë që ta vërë në dispozicion të udhëtimeve hapësinore komerciale në të ardhmen. Momentalisht, astronautët duhet të magazinojnë mbetjet brenda Stacionit Hapësinor për muaj me radhë, në pritje të një mjeti hapësinor që dërgohet aty posaçërisht për të marrë plehrat dhe që shpërthen sapo kalon atmosferën e Tokës.

Shpikja e re mendohet se do të ulë ndjeshëm kostot e largimit të mbetjeve në hapësirë. Sipas Nanoracks, astronautët prodhojnë rreth 2500 kg mbetje në vit, shifër që do të rritet nëse, sipas parashikimeve, udhëtimet hapësinore do të shtohen në mënyrë të ndjeshme në vitet dhe dekadat e ardhshme.

FullSizeRender

Të Fundit