Kanë nisur në Vlorë punimet për ndërtimin e “Muzeut Hebraik Shqiptar”.
Këtë njoftim e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar pamje nga kantieri dhe projekti përfundimtar i muzeut.
Godina do të ngrihet në ambientet e ish-klubit patriotik “Labëria” në qendrën historike të qytetit, në lagjen ku dikur kanë jetuar hebrenjtë.
“Në kantierin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë që po ngrihet në lagjen e dikurshme të hebrenjve afër sheshit kryesor të qytetit, një ndërtesë që do të dëshmojë ndër breza historinë e rrallë të bashkëjetesës shqiptare me hebrenjtë, në vitet e errëta të Holokaustit”, shkruan Rama.
Ai thekson se projekti kombinon arkitekturën tradicionale me elementë bashkëkohorë, duke ruajtur muret origjinale, strukturën mbajtëse dhe detaje karakteristike arkitektonike, të cilat do të përforcohen me dizajn dhe teknologji moderne të ekspozimit.
Sipas medias italiane Atribune, muzeu është projektuar nga studioja izraelite Kimmel Eshkolot dhe do të pasqyrojë historinë e komunitetit hebre në Shqipëri që nga koha romake deri në ditët e sotme.
Struktura e muzeut do të përbëhet nga tre elementë kryesorë:
një ndërtesë historike e restauruar me kujdes dhe e zgjeruar me një pjesë të re;
një hapësirë ekspozuese në ambient të hapur;
dhe një zonë lidhëse që i bashkon të dyja, duke krijuar akses të lehtë për këmbësorët midis rrugëve “Perlat Rexhepi” dhe “Ceno Sharra”.
Për ndërtimin do të përdoret guri lokal dhe “guri i Jeruzalemit” për fasadën e jashtme, ndërsa muret termike do të ndihmojnë në kursimin e energjisë.
Muzeu pritet të jetë një dëshmi e gjallë e bashkëjetesës shekullore shqiptaro-hebraike dhe e mbrojtjes që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë Holokaustit – një nga shembujt më të veçantë të solidaritetit njerëzor në Europë.
Fondi për realizimin e këtij projekti pritet të shkojë në 280 milionë lekë.