Video/ Edhe bimët flasin! Një studim ka zbuluar se lëshojnë ultratinguj

Nga kaktusët te domatet, nga duhani te hithrat, studiuesit kanë zbuluar se edhe bimët flasin dhe ato e bëjnë këtë duke lëshuar ultratinguj.

Për herë të parë, studiuesit në Universitetin e izraelit të Tel Avivit kanë zgjidhur një polemikë të lashtë shkencore duke regjistruar tingujt e lëshuar nga bimët, të cilat janë të padëgjueshme për veshët e njeriut, por ndoshta janë të dëgjueshme për shumë kafshë, si lakuriqët e natës, minjtë dhe insektet.

Studimi, i botuar në revistën Cell, tregon gjithashtu se bimët ‘flasin’ mbi të gjitha kur janë nën stres: informacion i cili, falë sensorëve të veçantë, mund të shfrytëzohet nga njerëzit, për shembull për të ditur se kur duhet të ujiten të korrat.

Sipas Ansa.it. studiuesit, të koordinuar nga Lilach Hadany dhe Yossi Yovel, i vendosën bimët në një vend të heshtur dhe të izoluar, duke vendosur mikrofona me ultratinguj.

Regjistrimet zbuluan tinguj të emetuar në frekuenca midis 40 dhe 80 kilohertz.

Në mungesë stresi bimët lëshojnë një tingull në orë, ndërsa bimët e dehidratuara ose të dëmtuara bënin dhjetëra tinguj në orë. Regjistrimet e mbledhura u analizuan më pas nga algoritme të zhvilluara posaçërisht të Inteligjencës Artificiale (AI).

Algoritmet ishin në gjendje të identifikonin ‘gjuhën’ e bimëve edhe në një serë të karakterizuar nga shumë zhurmë në sfond. “Me sa duket, një fushë idilike me lule mund të jetë një vend shumë i zhurmshëm, por ne nuk mund ta dëgjojmë atë”, komenton Hadany, një nga studiuesit.

 

Të Fundit