Një skenë e papritur është kapur nga kamerat gjatë mbërritjes së Emmanuel dhe Brigitte Macron në aeroportin e Hanoit, në Vietnam, në kuadër të turit të tyre në Azi.
Në momentin kur dera e avionit u hap dhe silueta e presidentit francez u shfaq, dy duar, që i përkisnin zonjës së parë Brigitte Macron, jashtë kamerës, u shfaqën dhe prekën fytyrën e Macron me një lëvizje që ngjante me një shuplakë.
Macron u duk i habitur për një moment, por menjëherë rifitoi qetësinë dhe vijoi me përshëndetjet sipas protokollit. Çifti presidencial zbriti shkallët e avionit, ku presidenti, si zakonisht, i zgjati dorën gruas së tij. Këtë herë, Brigitte Macron refuzoi t’ia merrte, duke u mbajtur fort pas parmakut.
Videoja është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të shumta. Fillimisht, Pallati Élysée mohoi autenticitetin e pamjeve, por përballë jehonës mediatike ndryshoi qëndrim.
Një këshilltar i afërt i presidentit e përshkroi incidentin si një “shkëmbim të zakonshëm mes bashkëshortësh”. Më pas, enturazhi i Macron dha një tjetër version, duke e cilësuar si një moment të fundit relaksi mes çiftit përpara nisjes së udhëtimit, “në mënyrë lozonjare.”
Sipas të njëjtit burim, komentet negative vijnë kryesisht nga qarqe të afërta me Rusinë.
❗️ Macron's wife viciously SMACKS him in face pic.twitter.com/2zSalRFYLu
— RT (@RT_com) May 26, 2025