Një person është gjetur i pajetë në orët e para të mëngjesit poshtë urës së njohur si “Fshatit Fshat”. Sipas informacioneve paraprake të policisë, dyshohet se viktima mund të jetë vetëhedhur gjatë natës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e Policisë së Shtetit kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave. Një grup shpëtimi ndërhyri për nxjerrjen e trupit nga zona ku ai u gjet.
Policia po vijon hetimet për identifikimin e plotë të viktimës dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes. Sipas të dhënave të para, viktima dyshohet të jetë Klodian Kulla, djali i vëllait të Nehat Kullës.
Nehat Kulla, i cili ndërroi jetë në vitin 2020 një vit pasi u lirua nga burgu, ishte një nga figurat më të njohura të botës së krimit në vitet ’90 dhe njihej me nofkën “Gjenerali”. Ai drejtonte një prej bandave më të famëkeqe të Tiranës gjatë trazirave të vitit 1997. Kulla kishte përfunduar së shlyeri dënimin 20-vjeçar në burgun e Fushë-Krujës për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998, shofer i ish-ministrit të Brendshëm Halit Shamata.
Banda e drejtuar prej tij u formua gjatë trazirave të vitit 1997, kur ai, familjarë dhe miq të tij arritën të mbanin të paprekur repartin e “xhenios”, një nga të paktët që nuk u dëmtua gjatë sulmeve të asaj periudhe. Për një kohë të gjatë, ai dhe të ashtuquajturit “ushtarë” të tij e kontrolluan repartin, duke marrë nofkën “Gjenerali”, emër që iu vendos edhe nga banorët e zonës.
Hetimet për vdekjen e Klodian Kullës vijojnë. Autoritetet pritet të japin detaje të tjera në orët në vijim.



