Tregtarët, si dhe qytetarët që tentojnë të fusin në Shqipëri produkte të falsifikuara do të bllokohen në pikat doganore. Ligji i reja për markat tregtare, që ka hyrë në fuqi më 16 gusht forcon mbrojtjen e markave tregtare, në përputhje me standardet e BE-së.
Produktet imitime të markave luksoze nuk do të futen dot më në Shqipëri.
Me një ligj të ri, Shqipëria ka forcuar masat për të mbrojtur markat tregtare dhe për të luftuar falsifikuesit e tyre. Çdo produkt “fake” nga tregtarët apo qytetarët do të bllokohet në pikat doganore.
Ligji i ri ndalon importin dhe eksportin e mallrave që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale dhe merr masa kundër mallrave false.
Pra e thënë ndryshe çdo mall që vjen i stampuar me logo të firmave të mëdha botërore, siç janë Gucci, Armani, Louis Vuitton, Hermes, etj por që është imitim dhe jo prodhim zyrtar i këtyre kompanive, do të bllokohen në doganë.
Kjo do të jetë një goditje për firmat që imitojnë këto kompani dhe tregtarët që deri më tani importonin pa kriter këto mallra jo cilësore, duke i shitur me çmime të lira në treg.
Po ashtu, udhëtarët që vijnë në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësor edhe detare, lejohen të kenë në bagazhin personal vetëm mallra jo-tregtare, brenda limiteve duty free dhe pa tregues të dyshimtë.
Ligji përcakton një mbrojtje të veçantë për markat me reputacion të mirë, duke i mbrojtur ato edhe në rastet kur mallrat ose shërbimet nuk janë të ngjashme.
Gjithashtu u jepet e drejta pronarëve të markave që të ngrenë padi për imituesit e produkteve të tyre.
Madje në nenin 87 thuhet se pronari i markës ka të drejtën edhe të kërkimit të dëmshpërblimit për dëmet që mund t’i jenë shkaktuar si rezultat i përdorimit të paautorizuar të markës së tij nga tregtare abuzivë.
Pronarët mund të kërkojnë nisjen e hetimeve nga Drejtoria e Pronësisë Industriale kundrejt një pagese në rast se konstatojnë ngjashmëri të një marke tjetër me markën e tyre.
Ky ligj është vazhdimësi e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të luftuar tregun e mallrave “fake” që e ka kthyer Shqipërinë në një Turqi të dytë me dyqane të shumta online e fizike që shesin “imitime të para” të firmave luksoze si Louis Vuitton, Prada, Dior, Dolce&Gabbana etj.
Gjatë 2024-s, Dogana ka deklaruar se ka bllokuar më shumë se 40 mijë produkte të firmave të falsifikuara.