Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka kryer inspektime në hidrocentralin e Vaut të Dejës së bashku me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako. Vengu thekson se është bërë shpërndarja e forcave në terren pas parashikimeve për reshje të dendura shiu në vend.
Ai shtoi se po punohet për menaxhimin e prurjeve me qëllim që të parandalohet ndonjë përmbytje në zonat problematike. Ministri ta se janë të angazhuar në parandalimin dhe përballimin e situatës së reshjeve që pritet të godasin vendin.
“Kemi vendosur shpërndarjen e forcave në terren dhe marrjen e masave nga të gjitha institucionet qoftë ato vendore, institucionet e tjera infrastrukturave kritike siç është hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Vlerësojmë se kemi patur menaxhimin e duhur përsa i përket menaxhimit të rezervës dhe prurjeve qe vijnë që të furnizojnë hidrocentralin. Jemi optimist që në orët në vazhdim të kemi të njëjtin menaxhim cilësor për të evidentuar derdhjet e herëpashershme qe mund te jene të nevojshme”, tha ai.



