Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka deklaruar se, duke nisur nga data 3 mars, do të ndalohet çdo procedurë rekrutimi të re në administratën shtetërore gjatë periudhës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të vitit.
‘Që prej datës 3 mars do të ndalohet çfarë do lloj procedurë rekrutimi, që të marrin në punë punonjës të rinj, procedurat e nisura duhet të përfundojnë’, tha ajo.
Pirdeni sqaroi për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë ditën e sotme, vendimin e Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të vitit”.
Ajo theksoi se procedurat e rekrutimit të nisura duhet të përfundojnë, ndërsa në asnjë ministri, institucion apo shoqëri aksionere ku shteti është pronar, nuk do të lejohet rregullimi i procedurave të reja për punësime, përveç rasteve emergjente në fushat e infrastrukturës kritike, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.
‘Në asnjë ministri, institucionet e varësive dhe në të gjitha ato shoqërira aksionere ku shteti është pronarë nuk do ketë procedura të reja rekrutimi, vetëm për nevoja emergjente në fusha si infrastruktura kritike, shëndetësia, arsimi ose mbrojtja’, shton ministrja.
Kjo masë ka për qëllim të sigurojë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të parandalojë përdorimin e burimeve njerëzore të administratës shtetërore për ndikim politik.
‘Ato nevoja emergjente duhet të përmbushen’, përfundoi Pirdeni.