Nga qelia ku po mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka urdhëruar nisjen e dekorimit të kryeqytetit me afrimin e festave të fundvitit.
Sipas një njoftimi të Bashkisë për mediat, Veliaj ka kërkuar nga Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve të vendosen ndriçime dhe zbukurime festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë dhe kriteret teknike dhe estetike.
“Tirana do të ndriçojë sërish për festat e fundvitit. Edhe pse ndodhet në kushte të vështira, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka urdhëruar që qyteti të fillojë menjëherë përgatitjet për festat e fundvitit. Sipas urdhrit të tij, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim.”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Po ashtu, në dokument theksohet gjithashtu se ky urdhër po jepet “në zbatim të vendimit nr. 420, datë 08.06.2006 të Këshillit të Ministrave ‘Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë’.”
Ky zhvillim vjen pas vendimit të 3 nëntorit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi që Veliaj duhet të vijojë detyrën e kryebashkiakut pavarësisht mbajtjes së tij në qeli, duke shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak dhe dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhje të pjesshme lokale më 9 nëntor.
Sipas togave të zeza, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë pasi ka munguar në punë për faktin se ndodhet i arrestuar.
Në një koment në rrjetet sociale pas këtij vendimi, Veliaj e cilësoi këtë një fitore për demokracinë.
“Drejtësia kushtetuese foli. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës. Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.”, shprehej ai.



