Veliaj për ndërtimet në Tiranë: Duhen 8 mijë apartamente në vit

Kryebashkiaku Erion Veliaj i është përgjigjur akuzave të opozitës për lejet e ndërtimit dhe të shtimit të kullave në metropolin shqiptar, Tiranën.

“Dëgjojmë të recitohet pa fund dhe pa turp: “Na mbytën kullat”. E vërteta e thjeshtë dhe shumë e verifikueshme është se objekte me mbi 12 kate janë vetëm 20”, u shpreh ai.

Veliaj gjithashtu shpjegoi dhe sa leje ndërtimit janë dhënë nga 2016, duke theksuar se jo të gjitha janë për ndërtime objektesh nga e para.

“Nga viti 2016 deri në vitin 2021 numri i procedurave të lejeve të dhëna në total është 1028, pra për 5 vite, nga të cilat, vetëm një e treta janë leje ndërtimi për objekte nga 4 deri në 12 kate, pra pallate. Pjesa tjetër janë leje për objekte të ulëta, si dhe leje për rikonstruksione, çati, prishje ndërtimi etj. Pra, çdo gjë që konsiderohet leje, jo vetëm e pallateve, është në këto 1028”.

Sipas tij, Tirana rritet çdo vit me 20-25 mijë banorë dhe kjo ka sjellë rritjen e kërkesës për më shumë apartamente. Ai thotë se Tirana ka nevojë të shtojë rreth 8 mijë banesa çdo vit.  Duke u ndaluar te çmimet e apartamenteve të rritura kohët e fundit kryebashkiaku u shpreh se kjo duhet parë si një lajm i mirë sepse qytetarëve sot prona e tyre u vlen më shumë se më parë.

“Në fakt, shifrat tregojnë se ecuria e rritjes së vlerës të pronës në Tiranë është në përputhje të plotë dhe me ecurinë e rritjes së ekonomisë.Në BE, në 10 vitet e fundit çmimi i banesave është rritur mesatarisht me 50%. Për të njëjtën periudhë çmimi mesatar në Tiranë është rritur me 34%. Do të thotë se jemi në një ritëm më të ulët rritjeje se pjesa tjetër e Europë”.

Sipas Veliajt, sektori i ndërtimit është ai që ka kontribuar më shumë në ekonominë shqiptare, duke punësuar 100 mijë persona.

Të Fundit