Pas fitores në zgjedhjet e 14 Majit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak për 4 vitet e ardhshme.
Veliaj tha se ky ishte rasti më domethënës kur një forcë politike arrin të përkthejë fitoren e bashkisë, në fitore edhe të shumicës së Këshillit Bashkiak.
“Kjo është vërtet një skuadër fitimtarësh sepse rezultati na dha të drejtë. Ne zbatuam këshillën e Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Socialiste, që të sigurohemi që vota nuk trajtohet si qokë, vota nuk trajtohet si lëmoshë apo si bakshish. Çdo votë është e shenjtë, si vota për kryetarin, ashtu edhe vota për Këshillin Bashkiak. Ndaj, jam krenar që siguruam që çdo votë për kryetarin të përkthehej në një votë për Partinë Socialiste dhe këshilltarët”.
Veliaj shtoi se kjo votë duhet trajtuar si një përgjegjësi e madhe, pasi qytetarët dhanë besimin për t’i përfaqësuar për çdo problematikë dhe shqetësim gjate 4 viteve.
“Me këtë fitore të madhe vjen edhe një përgjegjësi e madhe. Detyra për secilin prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak është të sillet si një deputet i qytetit, jo vetëm kur garon, por çdo ditë, duke filluar që sot, si një kujtesë që kjo nuk është fitore për të na ngritur në qiell, por kjo është një fitore për të na ulur me këmbë në tokë”.
Në zgjedhjet e 14 Majit Partia Socialiste siguroi 34 mandate për Këshillin Bashkiak të Tiranës, nga 61 që janë në total.