Jiang Yanyong, ish-kirurgu i cili dha alarmin se autoritetet kineze po fshihnin të vërtetën në lidhje me përhapjen e virusit Sars në vitin 2003, ka vdekur në moshën 91-vjeçare.
Sipas BBC, doktori i cili u lavdërua për shpëtimin e jetëve të shumë njerëzve vdiq nga pneumonia.
Doktori Jiang, punonte në një spital në Pekin në vitin 2003 kur ai ngriti alarmin në lidhje me përhapjen e virusit të rrezikshëm Sars.
Me anë të një letre ai ekspozoi mashtrimet e qeverisë kineze, duke dhënë shifrën reale të personave të prekur nga virusi vetëm në repartin e spitalit ushtarak. Letra e tij e detyroi qeverinë kineze të pranonte se kishte dhënë informacione të rreme, gjë që vuri në lëvizje OBSH-në.
Menjëherë u vendosën masa të rrepta kontrolli të cilat ndihmuan në ngadalësimin e përhapjes së virusit Sars.
Letra e tij, solli gjithashtu si pasojë shkarkimin e kryebashkiakut të Pekinit.
“Ndjeva se duhet të zbuloja atë që po ndodhte, jo vetëm për të shpëtuar Kinën, por për të shpëtuar botën”, u shpreh në atë kohë doktori Jiang Yanyong.