E trishtë është historia e Liliana Semës, e cila ndërroi jetë në një banesë thuajse të shkatërruar në fshatin Ferras të Fierit, duke ngrirë nga i ftohti. Trupi i 66-vjeçares, qëndroi për 3 ditë i pajetë në banesën e saj, deri kur u gjet nga i vëllai ditën e djeshme.
Ai tregoi për mediat se 66-vjeçares kishte dhjetë ditë që i kishin hequr energjinë elektrike pasi nuk kishte pasur mundësi që ta paguante.
“Jam i vëllai. Ne e gjetëm të ngrirë nga ftoma. Ia kishin hequr dritat, kishte 10 ditë. Nuk kishte lekë t’i paguante. Motrës time erdhën ia prenë, ka biznesmenë që s’i paguajnë. Doktori tha ka ngrirë nga i ftohti. Nuk ndihmohej nga askush.”, tha vëllai në një deklaratë për mediat.
Djali i të ndjerës, Kushtrim Sema shprehet se e ëma jetonte në kushte shumë të vështira dhe se mblidhte kanaçe për të jetuar. Ai pretendon se 66-vjeçarja i kishte paguar dritat deri në muajin dhjetor, e megjithatë energjia i ishte ndërprerë. Po ashtu i biri ka thënë se 66-vjeçarja jetonte me 70 mijë lekë pension, ndërsa ishte ai që ia blente ilaçet.
“Më mori kushëriri në telefon, erdha këtu dhe e gjeta mamanë të vdekur. Isha para 10 ditësh këtu dhe bëra sherr për dritat që t’ja linin të paktën të kishte një dritë ndezur. Mami kishte pension, mblidhte kanaçe, punonte edhe te komshinjtë kur kishte. Vuante nga zemra, tensioni. Ajo i ka paguar dritat deri në dhjetor, ata thonë që nuk i ka paguar. Ajo ka vdekur nga i ftohti, ka ngrirë sepse edhe një rezistencë që kishte nuk kishte si ta vinte në punë“, thotë djali i të ndjerës.
Liljana ishte nënë e tre fëmijë, dy prej të cilëve jetojnë në Itali