Vdekja e Kryepeshkopit Anastas, Beleri: Ndahem nga Ati im i trishtuar, por krenar

Eurodeputeti Fredi Beleri ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Përmes një deklarate për media, Beleri vlerësoi figurën e Kryepeshkopit si një simbol të paqes, dialogut ndërfetar dhe harmonisë midis njerëzve. Eurodeputeti shtoi se kontributi i Kryepeshkopit Anastas për ringritjen e Kishës Ortodokse ishte i jashtëzakonshëm dhe ndaj ai do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje.

“Me trishtim dhe përulësi, përjetojmë ikjen e Kryepeshkopit Anastas, njeriut që rindërtoi institucionin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë nga rrënojat që kishte sjellë ateizmi i diktaturës komuniste. Atin shpirtëror të ortodoksëve të Shqipërisë, që për 33 vjet iu dedikua atyre me përkushtim absolut. Figurën e shquar të Orthodhoksisë mbarëbotërore. Njeriun që frymëzoi në shpirtrat e të gjithë ortodoksëve shpresën e besimit në Zotin Krisht. Klerikun misionar Anastas, që i shërbeu njeriut si ikonë e Zotit Krisht në Afrikë, akademikun, teologun erudit që gëzonte respektin e krerëve të krishterimit, por edhe të feve të tjera, Personalitetin Ekumenik, Kryepeshkopin Anastas të Shqipërisë!

Kryepeshkopi Anastas ishte simbol i paqes, dialogut ndërfetar dhe harmonisë midis njerëzve. Ai punoi me përkushtim për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis komuniteteve fetare dhe për të promovuar vlerat e tolerancës dhe mirëkuptimit, që janë thelbësore për bashkëjetesën tonë. Dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë për jetën dhe veprën e tij, që ishte një dritë udhërrëfyese jo vetëm për komunitetin ortodoks, por për të gjithë shoqërinë.

Ceremonia mortore që do të zhvillohet nesër në Tiranë është një moment reflektimi dhe nderimi për një njeri që jetoi për të përçuar dashurinë dhe paqen midis njerëzve. Personalisht, me trishtim njerëzor, por edhe krenar për figurën e Tij, ndahem edhe unë nga ati im shpirtëror. I përjetshëm kujtimi i Tij,” thekson Beleri në reagimin e tij.

Të Fundit