Vdekja e Jonada Avdiaj, Gjykata e Vlorës shpall të pafajshëm 5 efektivët e policisë

Gjykata e Vlorës ka shpallur të pafajshëm pesë efektivët e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen e rëndë të verës së vitit 2022, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.

Vendimi u dha sot, më 16 korrik 2025, në përfundim të një procesi trevjeçar. Gjatë seancës përmbyllëse, prokurorja e çështjes kërkoi dënimin e secilit prej pesë efektivëve me nga 1 vit e 6 muaj burg, duke i akuzuar për neglizhencë në marrjen e masave të sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik. Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë, duke i shpallur të gjithë të pafajshëm.

Ndërkohë, më herët, për të njëjtën ngjarje, Gjykata kishte dënuar Arjan Tasen, autorin e drejtpërdrejtë të vrasjes së vogëlushes Jonada. Ai u shpall fajtor për “vrasje me dashje” dhe u dënua me 18 vite burg, por përfitoi ulje të një të tretës së dënimit sipas gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vite burgim.

Çështja ndaj tetë efektivëve të tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre u trajtua veçmas, por edhe në këtë rast, gjykata nuk konstatoi përgjegjësi penale.

Të Fundit