Vdekja e 72-vjeçares në azilin e Gjirokastrës, drejtoresha, kryekujdestarja dhe infermieri merren nën hetim për shpërdorim detyre

Vdekja e një 72-vjeçareje në Shtëpinë e të Moshuarëve në Gjirokastër ka çuar në hetime për tre punonjës të institucioneve shëndetësore dhe sociale.

Ngjarja ndodhi më 4 mars, kur Sheqere Zeko ra nga tarraca e godinës. Fillimisht u dyshua se ajo kishte rënë aksidentalisht, por nga verifikimet rezultoi se ajo ishte hedhur vetë. 72-vjeçarja humbi jetën gjatë transportimit për në Spitalin e Traumës.

Prokuroria nisi hetim penal për drejtoreshën e Shtëpisë së të Moshuarëve, me inicialet D. D., 50 vjeçe, dhe kryekujdestaren me inicialet Dh. Zh., 52 vjeçe. Të dyja dyshohen se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë dhe shpërdorim detyre.

Nën hetim është edhe infermieri me inicialet M. H., 37 vjeç, që punon në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës. Ai dyshohet se nuk ka njoftuar autoritetet për vdekjen e të moshuarës, edhe pse kishte dijeni që për rastin kishin nisur hetimet.

Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetaset: D. D., 50 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë Drejtoreshë e Shtëpisë së të Moshuarëve Gjirokastër dhe Dh. Zh., 52 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë kryekujdestare në këtë institucion.

Veprimet procedurale u kryen pasi nga hetimet e kryera për rastin e ndodhur më 04.03.2026, në Shtëpinë e të Moshuarëve, ku dyshohej se ra aksidentalisht nga tarraca, shtetasja Sh. Z., 72 vjeçe, e cila humbi jetën më datë 04.03.2026, gjatë transportimit në Spitalin e Truamës, rezultoi se kjo shtetse iste vetëhedhur nga tarraca.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë infermier në Spitalin Rajonal Gjirokastër, pasi nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese që 72-vjeçarja kishte humbur jetën edhe pse kishte dijeni se për rastin kishin nisur hetimet”

Të Fundit