Tomorr Shukulli dhe Valentina Koltraku, të arrestuar për aksidentin tragjik që shkaktoi vdekjen e një 7-vjeçari në Tiranë, janë liruar nga qelia dhe u është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Prokuroria kishte kërkuar vazhdimin e arrestit në burg për Shukullin, por gjykata vendosi një masë më të butë.
Gjatë deklarimeve para gjykatës, Shukulli tha se kishte ndaluar dhe i kishte dhënë disa para të miturit, të cilat i ishin rënë në tokë. Ai deklaroi se nuk e kishte vënë re fëmijën dhe, me ndezjen e semaforit, makina e tij kishte goditur fëmijën që po përpiqej të merrte paratë. Ndërkohë, Valentina Koltraku tha se kishte qenë menjëherë pas fuoristradës dhe nuk kishte pasur pamje të qartë të ngjarjes.
Të dy personat kanë shprehur tronditjen e tyre për këtë ngjarje të rëndë, duke theksuar se aksidenti ka qenë i paqëllimshëm, ndërsa Shukulli shtoi se përpiqej vetëm ta ndihmonte të miturin duke i ofruar paratë
Kujtojmë që aksidenti me pasojë vdekjen e 7 vjeçarit ndodhi të martën në rrugën “Kastriotët”, në kryeqytet.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë krijohet ideja se, Tomorr Shukulli i ka dhënë disa monedha 7-vjeçarit. Kur i mituri ka dalë para makinës për të lëvizur, lekët i kanë rënë në tokë dhe është përkulur për ti marrë. Në atë moment është ndezur semafori jeshil dhe Shukulli ka nisur makinë e cila e ka përplasur 7-vjeçarin dhe menjëherë më pas ka ardhur makina e dytë që drejtohej nga 42-vjeçarja e cila dyshohet ta ketë shtypur 7 vjeçarin. Nga dëshmitë thuhet se 55-vjeçari ka ndaluar makinën menjëherë pasi ka dëgjuar njerëzit në rrugë duke bërtitur, ndërsa 42-vjeçarja Valentina Koltraku, ka vijuar rrugën dhe është larguar. Po ashtu thuhet se Shukulli e ka dërguar fëmijën te Spitali i Traumës, me idenë se nuk ka qenë ai që e ka përplasur. Sipas tij, ka dëgjuar të bërtiturat e njerëzve dhe kur ka dalë ka parë fëmijën të aksidentuar, dhe e ka çuar në spital, por jo se ai ka qenë i pari që e ka përplasur. Makina fuoristradë që ndodhet e para afër semaforit, drejtohej nga Shukulli, ndërkohë që makina pas tij drejtohet nga Koltraku.



