Vdekja e 17-vjeçares nga meningjiti, dezinfektohet shkolla në Durrës

Në gjimnazit “Leonik Tomeo në Durrës, ku mësonte 17-vjeçarja që ndërroi jetë pasi u prek nga meningjiti akut, njësia vendore e kujdesit shëndetësor ka bërë dezinfektimin. Nxënës të shkollës që kanë patur kontakt të afërt me vajzën janë këshilluar që t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

Po ashtu edhe familjarë të saj janë këshilluar që të qëndrojnë në ambientet e tyre. Mjekët të cilët u kujdesën për adoleshenten në urgjencën e spitalit të Durrësit gjithashtu u janë nënshtruar kontrolleve dhe janë këshilluar që të bëjnë vaksinën për këtë sëmundje.

Autoritetet po gjurmojnë rastin edhe në Voskopojë të Korçës ku mësohet se një javë më parë vajza bashkë me nxënës të tjerë kishte qenë një ekskursion. Nuk përjashtohet mundësia që ajo ta ketë marrë infeksionin gjatë vizitës në fundjavë në juglindje të vendit.

17-vjeçarja u paraqit në urgjencën e spitalit të Durrësit të shtunën me temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta koke. Pasi mori trajtimin fillestar në qytetin bregdetar ajo u transferua në infektiv në QSUT ku pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha, nuk mundi që të mbijetonte.

Të Fundit