Autoritetet greke po vazhdojnë të ballafaqohen me mijëra migrantë të cilët nga Turqia po tentojnë të kalojnë në territorin grek.
Të mërkurën në mëngjes, forcat greke përdorën gazin lotsjellës për të zmbrapsur turmat e migrantëve që po provonin të kalonin kufirin me Greqinë.
Turqia ka thënë se kufijtë e saj janë të hapur, për migrantët që duan të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian.
Një zyrtar i Qeverisë turke ka deklaruar më 27 shkurt, se Turqia nuk do të ndalojë qindra mijëra migrantë, pas sulmeve ajrore në Idlib, ku u vranë dhjetëra ushtarë turq.
Mbi 3.5 milionë refugjatë nga Siria dhe vende tjera të Lindjes së Mesme ndodhën në Turqi.
Greqia, e cila ka qenë rruga kryesore për qindra mijëra migrantë më 2015-2016, që dëshironin të arrinin në vendet evropiane, ka premtuar se nuk do të lejojë një fluks të ri me migrantë.
“Situata në kufirin tonë nuk është vetëm çështje e menaxhimit për Greqinë, por është përgjegjësi e Evropës në tërësi”, tha ajo një konference për media, pasi vizitoi rajonin së bashku me liderët tjerë të BE-së dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Ata që duket se po testojnë unitetin e Evropës do të zhgënjehen. Ne do të mbajmë kursin dhe uniteti ynë do të mbizotërojë”, tha ajo.