Vatikani publikon foto të Papës brenda arkivolit, data e varrimit

Vatikani ka publikuar fotot e para të Papa Françeskut në arkivolin e tij, si pjesë e ritualit tradicional për të konfirmuar zyrtarisht ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, sipas protokollit të Selisë së Shenjtë.

Sipas Vatican News, ceremonia u zhvillua në kapelën e rezidencës Casa Santa Marta, ku u shpall zyrtarisht vdekja e Papës. Deklarata u lexua në prani të Kardinalit Farrell dhe procesi i vërtetimit zgjati rreth një orë.

Trupi i Papa Françeskut pritet të transferohet së shpejti në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku besimtarët do të kenë mundësinë t’i bëjnë nderimet e fundit. Kardinalët janë mbledhur për herë të parë sot, për të përcaktuar datat e ceremonive zyrtare, përfshirë transferimin e trupit dhe varrimin.

Sipas Kushtetutës Apostolike Universi Dominici Gregis, që përcakton procedurat pas vdekjes së një Pape, funerali duhet të mbahet midis ditës së katërt dhe të gjashtë pas ndarjes nga jeta.

Në një njoftim zyrtar, Vatikani ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit do të zhvillohet të shtunën, më 26 prill. Edhe agjencia italiane e lajmeve ANSA, duke cituar burime pranë Vatikanit, ka konfirmuar të njëjtën datë si më të mundshmen për këtë ngjarje madhore.

“Vdekja nuk është fundi i gjithçkaje; ajo shënon një fillim të ri,” pati thënë Papa Françesku. “Me jetën e përjetshme – të cilën e përjetojmë që në këtë jetë tokësore – fillon diçka që nuk përfundon kurrë.”

Të Fundit