Vaji i ullirit, jo më stok/ Krifca: Marrëveshje për ta eksportuar në Itali

Vaji i ullirit nuk do mbetet më stok për prodhuesit shqiptarë. Një ndër blerësit kryesor të ullirit, Italia është shprehur e gatshme të rrisë bashkëpunimin me bizneset tona, për t’i hapur rrugë blerjes së këtij produkti.

Në një intervistë për Tv Klan ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thotë se këtë ka parashikuar marrëveshja e fundit e nënshkruar me ministrin Italian të Bujqësisë.

“Ka një interes të shtuar nga blerësit italianë sepse ata e kuptojnë potencialin që Shqipëria ka me rreth 10 milionë rrënjë ulliri. Diskutimi fare i hapur me ministrin italian ka qenë të përmirësojmë zinxhirin e vlerës.”

Blerja e teknologjive italiane dhe bashkëpunimi për standardizimin e cilësisë së vajit janë pjesë e këtij bashkëpunimi.

Ministrja thotë se tashmë ka nisur identifikimi në terren i vajit të ullirit që ka mbetur stok.

“Kemi pasur disa problematika te mbartura, na nevojitet një ekspertizë si ajo e Italisë. Sfida është për ta grumbulluar në sasi më të mëdha që të bëhet i identifikueshëm për blerësit. Vetëm në dy muajt e parë të vitit kemi pasur rreth 1.5 milionë Euro të vajit të ullirit në Itali.”

Në objektiva është prodhimi i një produkti të përbashkët me dy brande.

“Idealja do ishte dhe për këtë po punojmë që të kemi produkte që mbajnë të dy flamujt, italian dhe shqiptar në markën e tyre.”

Në Shqipëri 100,000 fermerë kultivojnë produktin e ullirit.

Bashkëpunimet me Italinë përfshijnë po ashtu rritjen e eksporteve të verës shqiptare. Këtë të dielë vendi ynë do marrë pjesë edhe në panairin më të madh të verës në Verona.

Të Fundit