Janë arrestuar në flagrancë këtë të mërkurë dy shtetase nga Kazakistani, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në dy apartamente që kishin marrë me qira, në qytetin e Elbasanit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Rented” janë arrestuar shtetaset Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja banuese në Kazakistan, për veprën penale “Prostitucioni”.
Sipas raportimeve, gjatë kontrolleve të dy ambienteve u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.
Sakaq, në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.



