Reuters shkruan se zyrtarët amerikanë mund të bllokojnë aksesin e Ukrainës në shërbimin satelitor Starlink të Elon Musk, nëse autoritetet ukrainase nuk i ofrojnë akses Shteteve të Bashkuara në rezervat e mineraleve kritike.
Ky kërcënim vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy refuzoi një propozim fillestar të paraqitur nga sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent, për dhënien e mineralave të rralla në këmbim të ndihmës ekonomike për luftën.
Gjatë një takimi mes të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, dhe presidentit Zelenskiy të enjten, Ukraina thuhet se u paralajmërua për një mbyllje të mundshme të Starlink nëse nuk arrihet një marrëveshje për burimet minerale.
Një burim për Reuters e përshkroi varësinë e Ukrainës nga ky sistem si kritike, duke thënë: “Ukraina funksionon me Starlink. Ata e konsiderojnë atë Yllin e Veriut.”
Negociatat duket se janë përqendruar në kërkesën e Washingtonit për qasje në rezervat e pasura të Ukrainës, si grafiti, uraniumi, titani dhe litiumi. Këto burime konsiderohen si strategjike për prodhimin e baterive të makinave elektrike dhe teknologjive të tjera të avancuara.
Zelenskiy ka refuzuar propozimin e administratës së presidentit Donald Trump, i cili kërkonte një marrëveshje për pasuritë minerale me vlerë prej 500 miliardë dollarë, në këmbim të ndihmës financiare të vazhdueshme amerikane për Ukrainën. Presidenti ukrainas ka kërkuar që çdo marrëveshje të ofrojë garanci të qarta sigurie, kërkesë kjo që SHBA-ja nuk e ka plotësuar ende.
Starlink u ofrua fillimisht për Ukrainën nga Elon Musk në vitin 2022, për të zëvendësuar rrjetet e komunikimit që u ndërprenë pas pushtimit rus. Sistemi ka luajtur një rol të rëndësishëm në operacionet ushtarake të Ukrainës, duke përfshirë përdorimin e dronëve, një komponent kyç i strategjisë mbrojtëse të vendit. Analistët paralajmërojnë se humbja e aksesit në Starlink do të ndikonte rëndë në aftësinë e Ukrainës për të mbajtur komunikimet në fushën e betejës. Melinda Haring, analiste e lartë në Këshillin Atlantik, e përshkroi sistemin si një “ndryshues të lojës,” duke vënë në dukje se Ukraina ka arritur një barazi me Rusinë për sa i përket luftës me dronë dhe aftësive të artilerisë.