Një ditë më parë, Ministri i Drjetësisë, Ulsi Manja kërkoi nisjen e procedimit disiplinor për Prokuroren Elsa Gjeli, sipas ligjit, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
Në një deklaratë për mediat sot, Manja theksoi se prokurorja ka marrë një vendim për mbylljen e çështjes pa kryer asnjë hetim. Sipas tij, ajo ka arritur në përfundimin se mungon elementi i fajit në rastin e ndërtimit, një konkluzion që Manja t thekson si paaftësi profesionale dhe tendenca për të mos ushtruar funksionin e ndjekjes penale.
“Nuk jemi kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit. Por ka dhe detyrime që të thellohet kur ka një çështje me ndjeshmëri publike për të parë nëse është zbatuar ligji dhe kushtetuta. Prokuroria si institucion përveçse ushtron funksionet duhet të japë llogari para qytetarëve të Shkodrës për mbrojtjen e territorit.
Prokurorja ka marrë përsipër vendimin pa kryer asnjë veprim hetimor, ka arritur në konkluzionin se mungon faji si element i anës subjektive, gjë e cila tregon nxitim, paaftësi profesionale, dhe tendenca të qarta për të mos ushtruar funksionimin e ndjekjes penale dhe të hetimit, në rastin konkret të ndërtimit pa leje në zemër të Thethit. Ka edhe pasaktësi të tjera ligjore.
Thethi është park kombëtar që mbrohet nga disa ligje. edhe nëse punimet do të lejoheshin siç arsyeton prokurorja në vendim, do duhej të merrej mendimi i organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura”, tha ministri.
Manja theksoi se ligji për legalizimet, që ishte një bazë për vendimin e prokurores, është i shfuqizuar dhe nuk mund të përdoret më për të justifikuar vendime të tilla.
“Absurdi qëndron në faktin që prokuroja Elsa Gjeli kur analizon kuadrin ligjor sektorial për të përligjur vendimin e mos fillimit të çështjes, i referohet një ligji të shfuqizuar, që nuk është më në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Dihet publikisht që ligji për legalizimet është shfuqizuar.
Ky rast që ne kemi referuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe tek Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka marrë vëmendje të opinionit publik për shkak të ndjeshmërisë mjedisore dhe simbolikës që mbart Thethi”, tha Ministri i Drejtësisë.
Ministri Manja e përmbylli deklaratën duke theksuar rëndësinë e këtij rasti dhe nevojën për një shqyrtim të detajuar të veprimeve të prokurores Gjeli.