Një subjekt hotelier në Dhërmi është proceduar penalisht pas konstatimit të ndotjes së mjedisit si pasojë e shkarkimit të ujërave të ndotura në natyrë.
Administratorja e hotelit, një 46-vjeçare me inicialet E. M., është vënë nën hetim në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.
Kontrolli u krye më datë 18 korrik 2025 nga strukturat e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Task-Forcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, në kuadër të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike.
Policia thotë se gjatë verifikimeve u zbulua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i hotelit ishte jashtë funksionit, dhe për pasojë një pjesë e ujërave derdhej në një përrua pranë godinës, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.
Përveç procedimit penal, ndaj subjektit është vendosur edhe një masë administrative nga Task-Forca për shkeljen e konstatuar.
Njoftimi i plotë i policisë
“Në vijim të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, si dhe në zbatim të bashkëpunimit ndërinstitucional për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Task-Forcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, ushtruan verifikime në një subjekt hotelier në fshatin Dhërmi.
Gjatë kontrollit të ushtruar më datë 18.07.2025, u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i këtij hoteli ishte jashtë funksionit dhe si pasojë, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal, në gjendje të lirë, për administratoren e hotelit, shtetasen E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.
Ndërkohë, nga ana e Task-Forcës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, u vendos masë administrative ndaj subjektit, për shkeljen e konstatuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit në çdo zonë të qarkut”, thuhet në njoftim.