Një studim i ri i Universitetit Kinez të Hong Kongut sugjeron se toka e Hënës mund të mbështesë jetën njerëzore, falë një teknologjie inovative që nxjerr ujë nga toka hënore.
Kjo teknologji përdor dritën e Diellit për të gjeneruar nxehtësi dhe për të shndërruar dioksidin e karbonit në oksigjen dhe karburant kimik, duke hapur rrugën për eksplorime më të thella në hapësirë.
Hulumtimi, botuar në revistën shkencore Cell Press Joule, vlerëson se nxjerrja e ujit në Hënë mund të zbusë ndjeshëm kostot e transportit, pasi çmimi për të dërguar vetëm 3.78 litra ujë me raketë arrin deri në 71,230 euro. Një astronaut ka nevojë për rreth 15 litra ujë në ditë, çka e bën këtë teknologji një zgjidhje potencialisht revolucionare për qëndrueshmërinë e misioneve hënore.
“Ne kurrë nuk e imagjinuam ‘magjinë’ që fshihet në tokën hënore,” u shpreh Lu Wang, drejtuesi i studimit. Megjithatë, ai paralajmëroi se procesi i nxjerrjes së ujit përballet me sfida të mëdha si temperaturat ekstreme, rrezatimi dhe gravitacioni i ulët, duke bërë që zhvillimi i mëtejshëm të jetë i domosdoshëm.
Ky zbulim mund të ndryshojë mënyrën se si planifikohen misionet hapësinore në të ardhmen, duke e bërë Hënën një bazë më të pranueshme për banim njerëzor.