U zunë për një tavolinë në lokal, pezullohen nga detyra 2 mësueset te ‘Çajupi’

Ministria e Arsimit ka pezulluar nga detyra dy mësueset që u bën shkak për konfliktin e ndodhur një ditë më parë në shkollën Çajupi ku mbetën të plagosur 4 persona.

Përmes një njoftimi ministria bën me dije se ‘menjëherë pasi ka konfirmuar zyrtarisht nga organet kompetente përfshirjen e dy mësueseve të shkollës së mesme ‘Andon Zako Çajupi’ në ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë.

Sipas policisë, konflikti i djeshëm mes dy mësuesve të gjimnazit “Çajupi” në Tiranë ka nisur për një vend tavoline në një lokal.

Dy arsimtaret tashmë të pezulluara fillimisht janë konfliktuar verbalisht për tavolinë në lokal, e më pas në zënkën e tyre janë përfshirë edhe familjarët e tyre. Për ngjarjen e djeshme policia ka proceduar 5 persona ndërsa është arrestuar Edmond Faja, 39 vjeç, pasi ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Uniformat blu njoftojnë se për konfliktin është shpallur në kërkim dhe një 27 vjeçar i cili ka qenë prezent mëngjesin e së hënës në përplasjen mes dy mësueseve përpara shkollës ‘Çajupi’.

Të Fundit