U vra me pushkë nga biznesmeni italian, zbulohet identiteti i 26-vjeçarit shqiptar

58-vjeçari Aurelio Valiante, një emër i njohur në sektorin e ndërtimit, është arrestuar pasi rrëfeu para autoriteteve italiane se vrau 25-vjeçarin Rivaldo Rusi dhe më pas fshehu trupin e tij.

Ngjarja ndodhi gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, kur disa persona hynë për të grabitur vilën e Valiante-s.

Gjatë incidentit, sipas hetimeve, sipërmarrësi ka marrë një pushkë gjuetie dhe ka qëlluar.

Nga të shtënat, një tjetër shqiptar 28-vjeç mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin “Cardarelli” të Napolit, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në vend që të lajmëronte policinë apo ambulancën, Valiante vendosi të zhdukë trupin e të riut të vrarë.

Pas disa ditësh heshtjeje, ai u dorëzua dhe udhëhoqi hetuesit drejt vendit ku e kishte fshehur trupin – një fermë në zonën Limazzo, pranë një fushe sportive. Trupi u gjet brenda një vaska vere, në gjendje të rënduar.

Një pikë kthese në hetim ishte edhe dëshmia e të plagosurit, i cili nga spitali rrëfeu momentet tragjike: “E pashë mikun tim të binte pa ndjenja, pastaj e tërhoqën zvarrë”. Këto deklarata fillimisht u morën me rezervë, por më pas u vërtetuan nga rrëfimi i vetë autorit të dyshuar.

 

Valiante bëri rrëfimin e tij në Prokurorinë e Vallo della Lucania, ku pranoi të gjitha akuzat: vrasje, fshehje kufome dhe lëndime të rënda trupore. Trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit “San Luca” për autopsi, ndërsa identifikimi i tij u bë përmes deklaratave të të plagosurit dhe verifikimeve të policisë.

Autoritetet italiane kanë nisur hetime të plota për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që Aurelio Valiante pritet të përballet me akuza të rënda penale.

Të Fundit